Rajon-Botë

Rajon-Botë

Edi Rama paralajmëron padi për shpifje për Ramush Haradinajn

Publikuar më 25 Tetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë  se do të padisë për shpifje kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn, për deklaratën e bërë prej tij, kur tha se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq do të merrnin 10 miliardë euro për ndarjen e Kosovës.

Në emisionin "Opinion" në Tv Klan, Rama tha se zyra e tij po përgatit padinë ndaj Ramush Haradinajt.

"Për 10 miliardëshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të antishpifjes, dhe në Gjykatat e Kosovës, zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë. Por, një gjë di të them. Këtyre lloj politikanëve bravo ju qoftë që gjejnë dhe bëjnë. Domethënë, që t'i thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën, dhe të marrësh akoma vota, ata që votojnë për këtë lloj politike qofshin dhe këtyre bravo ju qoftë", ka thënë Rama.

Rama ka komentuar edhe dorëheqjen e ish-kryeministrit të Kosovës.

"Ky dha dorëheqjen medemek dhe është akoma atje. Është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë, dhe shpresoj të jetë hera e fundit, që të dal publikisht edhe pse ishte Kryeministri i Kosovës, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt", ka thënë Rama.

Në fakt, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, në një intervistë dhënë për Ora News, e të cilën e transmetonte Kosovapress, kishte thënë se arsyeja e fshehtë e krizës politike në Kosovë ishte e ardhmja e minierës së Trepçës në Mitrovicë.

"Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë euro, Trepça jep një fitim neto rreth 500 milionë euro në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë euro, të cilat duhet t'i gëzojë Kosova", thotë ai.

Haradinaj thotë se e parandaloi këtë grabitje dhe përsëriti akuzat se 3-shja Vuçiç-Thaçi-Rama ishin ideatorët e planit për ndarjen e Kosovës.

"Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës. Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiq dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës", thotë ai.