Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka thënë të enjten se nuk ka asjë sinjal nga Bashkimi Evropian, që do të shtyhet procesi i liberalizimit të vizave.
"Kam besim se liberalizimi do të mbyllet në fund të këtij viti. Para se vendimmarrja të kaloi në dorën e ministrave të vendeve anëtare të BE-së, janë edhe disa hapa paraprakë të cilët duhet të përfundohen", ka thënë Hoxha.
Ajo ka thënë se janë edhe dy grupe punuese të cilat janë duke e konsoliduar opinion në kuadër të vendeve anëtare në lidhje me liberalizimin.
"Në momentin që këto dy grupe arrijnë konsensusin që të vazhdojnë me hapin tjetër, atëherë çështja kalon tek niveli i ambasadorëve permanent të akredituar në Bruksel, dhe aty duhet të votohet. Është votimi i njëjtë sikurse në Këshillin e ministrave. Na nevojiten 55% të shteteve që përbëjnë 65% të popullsisë, pas kësaj atëherë kalohet tek këshilli i ministrave", ka thënë Hoxha.
Ajo ka shtuar se takimet e Këshillit të ministrave mbahen çdo dy muaj dhe se për këtë kohë takimet e mbetura janë njëri tani në tetor dhe tjetri në fillim të dhjetorit.
Duke folur rreth vendeve anëtare të BE-së siç janë Gjermania, Franca dhe Holanda të cilat është thënë se janë skeptike sa i përket këtij procesi, ministrja Hoxha ka thënë se është e vërtetë që kanë hezitime, mirëpo që kjo nuk ka të bëjë me Kosovën, por me çështjen e migrimit.
Hoxha ka theksuar se beson që procesi i liberalizimit të përmbyllet gjatë Presidencës austriake.